Dy TEC-et lundruese të fikur, KESH hap tender 23 mln dollarë për operimin dhe mirëmbajtjen
KESH ka hapur një tender prej rreth 23 milionë dollarësh për operimin dhe mirëmbajtjen e dy TEC-eve lundruese në Vlorë.
Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) ka hapur një procedurë të re prokurimi me vlerë rreth 23 milionë dollarë për operimin dhe mirëmbajtjen për dy vitet e ardhshme të aseteve gjeneruese termike të vendosura në Vlorë, të njohura si dy TEC-et lundruese apo “dy tigrat”.
Sipas njoftimit të publikuar, procedura është e hapur, mbi kufirin e lartë monetar, dhe ka si objekt “Operim dhe Mirëmbajtje e Asetit Gjenerues Termik, Vlorë”. Fondi limit është përcaktuar në 1.855 miliardë lekë pa TVSH, ose 23.026 milionë dollarë, duke përdorur kursin zyrtar prej 80.58 lekësh për dollar të datës 13 gusht 2026.
Kontrata parashikohet të ketë një kohëzgjatje prej 731 ditësh, pra dy vite, ndërsa kompanitë e interesuara do të kenë afat deri më 15 shtator 2026, ora 10:00, për paraqitjen e ofertave.
Dokumentet teknike të tenderit, të konsultuara nga ekofin.al, tregojnë se kontrata nuk kufizohet vetëm te mirëmbajtja e zakonshme e dy anijeve termocentrale. Operatori që do të përzgjidhet duhet të ofrojë një shërbim gjithëpërfshirës të operimit dhe mirëmbajtjes, në mënyrë që asetet të jenë të disponueshme dhe të gatshme për prodhim sa herë që kjo do të kërkohet.